Partia Demokratike do të zhvillojë sot një protestë para godinës së Kuvendit, në orën 10:00, njëkohësisht me seancën plenare ku pritet të votohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes Belinda Balluku.
Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara për garantimin e rendit publik. Zona përreth Parlamentit është rrethuar me gardhe metalike, ndërsa janë vendosur 1500 efektivë policie në terren. Nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet lëvizja e automjeteve në rrugën George W. Bush. Në varësi të zhvillimeve, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore përreth, me devijim të trafikut në rrugë alternative.
Autoritetet policore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet në qarkullim dhe të distancohen nga veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Deputetët e Partisë Socialiste janë njoftuar të paraqiten në Kuvend më herët se zakonisht për të marrë pjesë në votim, duke u kërkuar të mos mungojë asnjë prej tyre.
Burime bëjnë të ditur se situata mund të shoqërohet me tensione, por policia ka parashikuar masa për të shmangur incidentet.
Përditësime
Partia Demokratike ka nisur protestën para Kuvendit në orën 10:00, udhëhequr nga Gazmend Bardhi dhe Klevis Balliu, të përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi.
- Policia rriti numrin e efektivëve në 1.600 nga 1.500, duke përfshirë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, autobote me ujë, maska gazi dhe sprej piper.
- Hyrjet tradicionale për deputetët u ndryshuan për arsye sigurie.