Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën e sotme plenare, duke e cilësuar praninë e forcave të policisë përreth Kuvendit si një masë që synon shuarjen e zërit të qytetarëve dhe cenon misionin përfaqësues të Parlamentit.
Përmes një deklarate zyrtare, opozita denoncoi sjelljen e mazhorancës, e cila sipas tyre, pengon ushtrimin e funksioneve kushtetuese të opozitës. Opozita deklaroi se mazhoranca ka refuzuar kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi protestat që po zhvillohen prej më shumë se një muaji, si dhe mbi rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Evropian.
Gjithashtu, PD thekson se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve deri në fund të sesionit parlamentar, pa përfshirë shqyrtimin e katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji. Këto nisma përfshijnë:
• Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
• Shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
• Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
• Shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Sipas opozitës, këto iniciativa lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që ndodhen pranë ambienteve të Kuvendit dhe me shqetësimet e ngritura në rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian.