Partia Demokratike (PD) denoncoi sot rrezikun e konfiskimit të pasurive sovrane të Shqipërisë për shkak të një vendimi gjykate në SHBA lidhur me çështjen GBC Oil.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, dha një deklaratë për mediat, ku shpjegoi se qeveria shqiptare ka njohur detyrimin për të paguar GBC Oil Co. Ltd shumën prej 13.3 milionë euro për rentën minerare dhe 1.6 milionë euro për kostot ligjore.
Sipas saj, pavarësisht dijnisë për këtë detyrim, qeveria nuk e ka ekzekutuar atë. Kompania Omni Bridgeway, e autorizuar nga GBC Oil, i është drejtuar Gjykatës së Qarkut të SHBA-së me numër çështjeje 1:23-cv-01938 kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë.
Gjykata amerikane njohu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, i cili e gjobiti shtetin shqiptar për prishjen e tre marrëveshjeve për hidrokarbure.
Vangjeli krahasoi situatën me qeverinë e mëparshme: qeveria Berisha kishte vetëm 1 çështje të humbur në arbitrazh, për segmentin rrugor Gjirokastër-Tepelenë të vitit 2005, ndërsa qeveria aktuale ka 13 çështje me detyrim fillestar prej 197.2 milionë euro, sipas raportit të Ministrisë së Financave.
Ajo e cilësoi këtë si pasojë të papërgjegjëshmërisë dhe keqmenaxhimit, që rëndon mbi qytetarët. PD bëri thirrje për protesta nesër para Parlamentit në orën 10:00 për largimin e qeverisë.