Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një interpelance të kërkuar nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, paraqiti kronologjinë e marrëdhënies së shtetit shqiptar me kompaninë Bankers Petroleum Albania. Mosmarrëveshja e gjatë ligjore e ka zanafillën te ndryshimet në paketën fiskale të datës 1 prill 2014, të cilat hoqën përjashtimin nga akciza për produktet energjetike të përdorura në nxjerrjen e naftës bruto në vendburimin e Patos-Marinzës.
Sipas ministrit Malaj, procesi gjyqësor u nda në dy faza kryesore:
- Në shtator të vitit 2014, administrata doganore njoftoi kompaninë për një detyrim prej 589 milionë lekësh, çështje e cila përfundoi në mars të vitit 2022 me një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të shtetit.
- Në maj të vitit 2019, pas një kontrolli, doganat nxorën një tjetër detyrim prej 3,09 miliardë lekësh, që me gjoba arriti në 12,48 miliardë lekë. Kjo çështje u mbyll gjyqësisht në dhjetor të vitit 2025.
Ministri bëri të ditur se tashmë ka nisur procedura e mbledhjes së kësteve të para të këtij detyrimi. Ai sqaroi se kompania ka operuar prej vitit 2004 në bazë të një marrëveshjeje hidrokarbure, e cila parashikonte lehtësira fiskale që u ndryshuan në vitin 2014. Për shkak të kundërshtimeve ligjore nga ana e kompanisë, procesi i vjeljes është shtyrë për një dekadë.