Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur ecurinë e nismës Rrjeti MIA, platformë e krijuar nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA) pranë Kryeministrisë, e cila ka për qëllim transformimin e mënyrës së komunikimit të institucioneve shtetërore me qytetarët. Pas mbylljes së thirrjes për aplikime, procesi ka kaluar në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe projekteve më premtuese, pas kryerjes së 200 intervistave nga gjithsej 245 aplikime të pranuara.
Sipas njoftimit, propozimet e paraqitura nga profesionistët dhe të rinjtë që synojnë të bëhen pjesë e këtij rrjeti, përfshijnë një gamë të gjerë qasjesh inovative. Ndër tematikat kryesore të raportuara nga kreu i qeverisë janë përdorimi i inteligjencës artificiale, metodat për verifikimin e informacionit, si dhe zhvillimi i mekanizmave për dëgjimin dhe përfshirjen e qytetarëve në gjetjen e zgjidhjeve për çështje të ndryshme.
Nisma ishte ndarë në dy kategori kryesore:
- “Puno me ne”: për specialistët që do t’i bashkohen strukturave të komunikimit në institucionet qendrore.
- “Bashkëpuno me ne”: e dedikuar për individë, grupe ose kompani që ofrojnë projekte në fusha të teknologjisë, dizajnit dhe verifikimit të informacionit.
Qëllimi final i qeverisë është që idetë e përzgjedhura të përkthehen në rezultate konkrete, duke sjellë energji dhe aftësi të reja në komunikimin institucional. Procesi vijon tani me fazën e përzgjedhjes përfundimtare të propozimeve më të mira.