Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe tri ditë afat për profesionistët dhe të rinjtë që dëshirojnë të aplikojnë në Rrjetin MIA, një nismë e ndërmarrë nga Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë.
Thirrja u drejtohet ekspertëve dhe krijuesve të fushave të ndryshme, si komunikimi, media, teknologjia, inteligjenca artificiale, videoja, dizajni dhe analiza e të dhënave. Kandidatët kanë mundësi të zgjedhin ndërmjet dy formave të angazhimit:
• Puno me ne: Përfshirja si pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore.
• Bashkëpuno me ne: Propozimi i ideve, projekteve apo zgjidhjeve inovative për përmirësimin e komunikimit publik.
Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj nisme është reformimi i komunikimit publik të vendit. Institucioni ka garantuar se procesi i vlerësimit të çdo kandidati do të jetë meritokratik, me objektivin për të përzgjedhur talentet dhe idetë më të mira. Deri në këtë fazë, numri i aplikimeve të pranuara ka kaluar shifrën prej 100. Të interesuarit mund të dërgojnë aplikimet e tyre në adresën zyrtare elektronike info@mia.gov.al.