Gjendja shëndetësore e tri shtetaseve nga Ferizaj, të cilat pësuan lëndime si pasojë e një zjarri në një hotel në Vlorë, është duke shënuar përmirësim. Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, së bashku me drejtorin e Administratës, Selim Marevci, kanë zhvilluar një vizitë në institucionet shëndetësore të Tiranës për t'u njohur nga afër me situatën e të lënduarave.
Në Spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë, delegacioni nga komuna vizitoi Erëza Graincën, e cila po merr trajtim në repartin e djegieve plastike. Ndërkaq, motrat Arlinda dhe Nderime Rexhepi, të cilat ndodhen në repartin intensiv të Spitalit Ushtarak të Traumës, nuk mundën të vizitohen nga përfaqësuesit e komunës për shkak të kufizimeve strikte për vizitat në repartet intensive dhe gjendjes së tyre shëndetësore.
Sipas informacioneve të përcjella nga Komuna e Ferizajt, motrat Rexhepi tashmë e kanë tejkaluar krizën e rëndë shëndetësore. Gjendja e tyre paraqitet në përmirësim e sipër, falë trajtimit mjekësor intensiv dhe përkujdesjes së stafit shëndetësor. Nënkryetari Lulzim Aliu, në emër të kryetarit Agim Aliu, u ka përcjellë të tria të lënduarave urimet për shërim sa më të shpejtë dhe rikthim pranë familjeve të tyre. Njëkohësisht, autoritetet e Ferizajt kanë shprehur mirënjohje për mjekët dhe stafin infermieror në Tiranë, duke vlerësuar profesionalizmin dhe angazhimin e treguar gjatë trajtimit të rasteve.