Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën në Rrugën A, ku një shtëpi e ndërtuar pa leje ndodhet në zonën e punimeve dhe rrezikon të shembet. Sipas kreut të kryeqytetit, prona në fjalë është pronë komunale.
Përparim Rama bëri të ditur se evakuimi i familjeve nga kjo zonë është kryer para 2 vitesh, për shkak të punimeve infrastrukturore në Rrugën A dhe rrezikut të konstatuar për rrëshqitje të dheut. Në reagimin e tij, kryetari theksoi se Komuna e Prishtinës ka mbuluar dhe vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për të gjitha familjet e prekura.
Lidhur me ngjarjen e së martës, ku një person pengoi shembjen e planifikuar të objektit, Rama bëri thirrje për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Ai kërkoi nga qytetarët që të mos hyjnë në zonën e punimeve, duke e cilësuar atë si tejet të rrezikshme për jetën e tyre dhe të ekipeve në terren.
Në përfundim të deklaratës së tij, kryetari i kryeqytetit theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit mbi pronën publike. Ai deklaroi se prona komunale duhet të mbrohet njësoj si çdo pronë tjetër, duke u shprehur se prona është e shenjtë dhe meriton trajtim sipas dispozitave ligjore në fuqi.