Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se projekti i tramvajit elektrik nuk do të financohet nga buxheti i kryeqytetit. Në një postim në Facebook më 22 shkurt 2026, ai sqaron se nuk ka nevojë për ndarje fondesh komunale.
Rama thekson se projekti zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe financohet përmes angazhimit të kapitalit privat. Ky model financimi, sipas tij, u shpjegua që në ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve me operatorët privatë.
"Sa i përket TRAM-it elektrik! Nuk ka nevojë të ndahet buxhet nga Kryeqyteti! Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat. Për ata që kanë dashur me dëgju, këtë e kam shpjeguar ditën kur janë nënshkruar marrëveshjet me operatorët privat!", shkruan Rama.
Sipas burimeve, tramvaji elektrik përbën një nga premtimet e Përparim Ramës në garën zgjedhore komunale. Projekti parashihet të funksionojë që nga viti 2026.