Një përplasje e armatosur ka ndodhur rreth orës 09:15 të së premtes në qendrën e qytetit të Trentos në Itali, ku u përplasën dy shtetas shqiptarë dhe dy persona me origjinë nga Afrika e Veriut.
Sipas rindërtimit paraprak nga mediat italiane, dy shqiptarët ndodheshin në një bar duke pirë kafe kur u afruan dy të tjerët nga zona e Piazza Fiera. Kontakti i menjëhershëm degjeneroi në konflikt fizik. Shqiptarët u larguan me vrap drejt një dyqani cigaresh në rrugën Santa Croce, ku u ndoqën nga kundërshtarët.
Brenda dyqanit shpërtheu përplasja e dytë, e shoqëruar me të shtëna arme. Një person mbeti i plagosur në shpatull. Arma dyshohet se ka qenë një pistoletë manovër, e përdorur edhe për goditje fizike.
Pronarja e dyqanit dhe nëna e saj u strehuan në pjesën e pasme të lokalit, duke dhënë alarmin. Ato shpëtuan pa lëndime.
Policia ndaloi të katër personat e përfshirë. Fillimisht dyshohej për një tentativë grabitjeje, por hetimet e para konfirmojnë se konflikti lidhet me larje hesapesh në fushën e trafikut të lëndëve narkotike. Autoritetet në Trento po vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.