Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Gjatë aksionit pati përplasje verbale mes përfaqësuesve të dy partive.
Zyrtari i LDK-së, Paris Guri, kundërshtoi mbajtjen e aktivitetit pranë selisë së partisë. Ai kërkoi nga PSD që aksione të tilla t’i zhvillojë para zyrave të partisë në pushtet dhe e akuzoi PSD-në se vepron me direktivë të Vetëvendosjes.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se aktiviteti po mbahej në hapësirë publike. Molliqaj akuzoi partitë opozitare për mungesë qartësie lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me kryeministrin Albin Kurti pas zgjedhjeve.
Molliqaj tha se PSD kërkon përgjigje të qartë nga LDK për pozicionin pas zgjedhjeve. Ai shtoi se zgjedhjet janë shkaktuar nga kalkulimet politike të LDK-së.
Në diskutim u përfshi edhe aktivistja e PSD-së, Natyra Kuçi, e cila pati përplasje verbale me Paris Gurin.