Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se një brez i ri mjekësh i është bashkuar ekipit të Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur emrat e profesionistëve të rinj: dr. Anri Gongo, dr. Emiljana Toslluku, dr. Fjoralba Lapi, dr. Argjend Kosiqi dhe dr. Darjo Horjeti.
Më herët, një grup prej pesë infermierësh të rinj iu bashkua të njëjtit spital.
Spitalet publike dhe ato rajonale në vend po përforcohen me ekipe mjekësh e infermierësh të rinj, të cilët sjellin energji të re në profesionalizmin e stafeve ekzistuese. Kjo përfaqëson një eksperiencë praktike për ta, duke u mundësuar kontakt të drejtpërdrejtë me problematikat e pacientëve.
Që nga rihapja në vitin 2015 e programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin. Kjo forcon shërbimet shëndetësore në spitalet rajonale e bashkiake.
Përgjatë viteve të fundit, Ministria ka zbatuar një mekanizëm transparent e meritokratik përmes portaleve „Mjekë për Shqipërinë“ dhe „Infermierë për Shqipërinë“ për punësimin e tyre.
Punësimi i profesionistëve të rinj plotëson nevojat në specialitete të ndryshme në spitalet rajonale e bashkiake.