Një peticion online i nisur kohët e fundit i bën thirrje UNESCO-s për të përfshirë Plisin e bardhë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Kjo nismë synon të mbrojë dhe të promovojë këtë element të trashëgimisë shqiptare.
Plisi i bardhë është një kapuç i punuar me dorë prej leshi të bardhë. Ai ka shoqëruar shqiptarët për shekuj në gëzime, beteja, rite dhe përditshmëri. I njohur me emra të tjerë si qeleshe, kësulë ose qylaf në krahina të ndryshme, plisi shërben si shenjë e identitetit të përbashkët që ka mbijetuar pushtimeve, ndryshimeve politike dhe modave kalimtare.
Nisma vjen si reagim ndaj rrezikut që trashëgimia të kthehet në relike muzeale, e shkëputur nga jeta reale dhe brezat e rinj. Njohja nga UNESCO do të siguronte mbrojtjen e teknikës tradicionale të punimit, mbështetje për artizanët që e prodhojnë ende me dorë si dhe ringjallje të interesit për trashëgiminë kulturore.
Sipas organizatorëve, kjo njohje do të hapte mundësi për zhvillimin e turizmit kulturor dhe promovimin e historisë shqiptare përtej kufijve.
Peticioni ka mbledhur rreth 4000 firma brenda pak ditësh, çka tregon interes të gjerë nga publiku.