Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, komentoi në News24 përplasjet e brendshme në PS midis kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali, të ndodhura pas shkarkimit të kësaj të fundit nga detyra.
Sipas Koçit, situata është personale dhe lidhet drejtpërdrejt me shkarkimin e Spiropalit. I pyetur nëse pas këtij vendimi qëndron Belinda Balluku, siç është përfolur, ai u shpreh se, nëse kjo qëndron, vendimi do të ishte i kompromentuar dhe i padrejtë. "Në rastin konkret është një situatë personale, pasi u shkarkua si ministre e Jashtme. Ajo dhe Rama duhet ta dinë arsyen e vërtetë", tha ai.
Koçi vlerësoi reagimin publik të Spiropalit të një dite më parë, ku ajo identifikoi disa problematika në PS, por e cilësoi atë si të vonuar. Ai theksoi se Spiropali duhet të kishte filluar me një "mea culpa", sepse ka pasur rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe funksionimin e partisë gjatë këtyre viteve. "Spiropali nuk është se nuk ka rol në gjithçka që është ndërtuar në këto vite në PS", u shpreh ish-deputeti, duke shtuar se ajo ka ecur me progres të jashtëzakonshëm dhe ka merituar funksione të larta.
Ai propozoi një qasje konstruktive për të identifikuar problemet dhe për të ofruar rrugëzgjidhje, si dhe pakti i duhur për të shmangur keqkuptime te mbështetësit e PS. Koçi nuk i sheh diskutimet e fundit në PS si debat real dhe theksoi nevojën që anëtarët e partisë të kenë më shumë pushtet në vendimmarrje, pasi pushtetet e pakufizuara mund të kthejnë engjëllin në djall.