Një ngjarje tragjike është shënuar në provincën Maluku Veriore të Indonezisë, ku një 40-vjeçar ka gjetur vdekjen pas sulmit nga një piton. Sipas deklaratës zyrtare të zëdhënëses së Policisë së Ishujve Sula, Jaya Afandi M. Soamole, viktima, i identifikuar si Hasim Lembesi, ishte zhdukur mbrëmjen e 27 korrikut teksa po kthehej në banesën e tij në fshatin Waisakai.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, gjarpri e sulmoi viktimën ndërsa ai po kalonte në një shteg pyjor. Familjarët dhe banorët, të shqetësuar nga mungesa e tij, nisën kërkimet dhe gjetën sendet personale të 40-vjeçarit, duke përfshirë një çantë shpine dhe sandale, si dhe njolla gjaku në tokë. Jo shumë larg atij vendi, ata pikasën një piton rreth 7 metra të gjatë me bark të fryrë në mënyrë të pazakontë.
Me mbështetjen e efektivëve të policisë, vendasit e vranë zvarranikun dhe më pas e çanë atë, ku gjetën trupin e pajetë të Hasim Lembesit. Pas nxjerrjes së trupit, ai iu dorëzua familjes për ceremoninë mortore.
Pas këtij incidenti, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të tregohen të kujdesshëm kur lëvizin në pyje ose ferma. Policia këshillon lëvizjen në grupe ose çifte për të minimizuar rrezikun e përballjeve me kafshët e egra. Ky është një ndër rastet e rralla me pasoja fatale në këtë rajon. Vetëm muajin e kaluar, një grua 44-vjeçare humbi jetën në Malukun e Veriut në një incident të ngjashëm, ndërsa një tjetër sulm ndaj një çiklisti u raportua në të njëjtën zonë.
Pitonët rrjetëzorë, të cilët janë të pranishëm në këtë rajon, njihen si ndër gjarpërinjtë më të mëdhenj në botë. Ata nuk përdorin helm, por e vrasin prenë duke e shtrënguar dhe mbytur përpara se ta konsumojnë.