Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të datës 21 shtator 2026 në fshatin Proptisht të Pogradecit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shtetasi Blerim Çela, 51 vjeç, është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me kushëririn e tij, shtetasin Minir Çela, 48 vjeç.
Gjatë përleshjes, Blerim Çela ka goditur me mjet prerës (thikë) 48-vjeçarin, i cili ka marrë një plagë në shpatull. I plagosuri është transportuar menjëherë në spitalin e Pogradecit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kërkimet për kapjen e autorit. Si rezultat i kontrolleve, 51-vjeçari është kapur në fshatin Proptisht dhe është shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.