Gjatë patrullimeve të intensifikuara për garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare, Policia Kufitare ka ndërhyrë në zonën e Krorëzit në Borsh. Autoritetet konstatuan se një mjet lundrues kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në hapësirën ku ndodheshin pushuesit duke u larë.
Pas konstatimit të shkeljes, policia ndërmori veprimet administrative, duke vendosur një gjobë prej 500.000 lekësh të rinj ndaj drejtuesit të mjetit, si dhe bëri bllokimin e mjetit lundrues.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në këto zona, duke kërkuar respektimin rigoroz të rregullave të lundrimit dhe perimetrave të sigurisë. Autoritetet theksuan se, edhe në zonat ku nuk janë vendosur ende perimetra të qarta, drejtuesit e mjeteve duhet të shmangin afrimin në bregdet dhe manovrat në vendet ku ka pushues, për të parandaluar rrezikimin e jetës dhe sigurisë së tyre.