Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar një aksion të shtuar për mbikëqyrjen dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Nëpërmjet një apeli drejtuar qytetarëve dhe subjekteve afariste, autoritetet policore kanë kërkuar shmangien e çdo veprimi që shkakton zhurmë të tepërt dhe shqetësim për banorët gjatë orëve të natës.
Sipas njoftimit zyrtar, zhurma e panevojshme dhe e padurueshme që dëgjohet në hapësira publike apo nga banorët përreth, gjatë orareve të përcaktuara me ligj, përbën kundërvajtje. Në përputhje me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike, policia ka filluar zbatimin e masave ndëshkuese, duke shqiptuar gjoba në vlerën e 500 eurove për personat që janë hasur duke shkelur këto dispozita.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe në periudhën në vijim. Qëllimi i këtij operacioni është garantimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët, ndërsa njësitë policore mbeten të angazhuara për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti që cenon qetësinë publike.