Në shënim të Ditës së Policëve të rënë në kryerje të detyrës, zyrtarë të lartë të Policsë së Kosovës kanë zhvilluar një sërë vizitash në shenjë respekti për familjarët e atyre që dhanë jetën në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi, i shoqëruar nga stafi i tij dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vizituan familjet e dëshmorëve për të shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë. Autoritetet vlerësuan sakrificën e këtyre policëve, të cilët cilësohen si Heronj të Kosovës.
Në kuadër të këtyre vizitave, u nderua në mënyrë të veçantë kujtimi për Lazim Rexhepin, i cili njihet si polici i parë i Policsë së Kosovës që ka humbur jetën gjatë përmbushjes së detyrës zyrtare. Po ashtu, delegacioni vizitoi familjen e policit Jahi Maliqi.
Në njoftimet zyrtare, Policia e Kosovës theksoi se vepra e policëve të rënë mbetet pjesë e pandashme e historisë së institucionit dhe e kujtesës kolektive. Përfaqësuesit e policisë ritheksuan përkushtimin për të mbështetur familjet e tyre dhe për të ruajtur gjithmonë nderimin për sakrificën e bërë në mbrojtje të rendit, qetësisë dhe sigurisë së vendit.