Një delegacion nga Departamenti për Bashkëpunimin Ndërkombëtar i Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA) zhvilloi një vizitë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit më 22 maj 2026. Delegacioni u kryesua nga drejtori i Drejtorisë për Ndihmën Policore, Gregor Erb, dhe u prit nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Fokusi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe përmirësimi i planifikimit të mbështetjes që BKA-ja ofron për Policinë Kriminale dhe Institutin e Policisë Shkencore. Palët diskutuan gjithashtu harmonizimin e këtij bashkëpunimi me projekte të tjera policore të Bashkimit Europian në rajon.
Skënder Hita falënderoi BKA-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi nevojën për aleanca të forta ndërkombëtare kundër krimit global. Ai rikonfirmoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin me partnerët gjermanë përmes projekteve të përbashkëta, trajnimeve dhe pajisjeve moderne.
Gregor Erb, nga ana e tij, garantoi mbështetjen e vazhdueshme të BKA-së dhe agjencive ligjzbatuese gjermane për strukturat shqiptare.