Policia greke njoftoi çmontimin e një grupi kriminal që kryente grabitje në banesa në zona të ndryshme të Atikës. Operacioni u zhvillua nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimit në Athinë, me mbështetjen e efektivëve të njësisë speciale DI.AS.
Dy të dyshuarit, të moshës 48 dhe 31 vjeç, u arrestuan më 16 korrik në zonën e Vulës. Sipas hetimeve, grupi vepronte që prej muajit maj, duke shënjestruar banesa në periferitë veriore dhe jugore të kryeqytetit grek.
Metoda e tyre konsistonte në maskimin si punonjës të ekipeve teknike, duke veshur jelekë pune reflektues për të hyrë në ambientet e përbashkëta të pallateve pa ngjallur dyshime. Autorët përdornin mjete të posaçme për hapjen e dyerve dhe merrnin bizhuteri, ora dore dhe para në dorë. Për të shmangur identifikimin nga autoritetet, grupi përdorte automjete me qira, të cilat i ndërronin shpesh.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për:
• Krijim të organizatës kriminale
• Vjedhje të rënda
• Dhunë ndaj punonjësve publikë
• Shkelje të ligjit për të huajt