Policia e Tiranës vijon kërkimet për 39-vjeçarin Sadik Llani, i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri 27-vjeçarin Ardian Baloshi në Paskuqan. Bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë gjurmuar lëvizjet e autorit drejt zonës së Liqenit të Bovillës, ku është gjetur edhe automjeti i tij i braktisur.
Sipas njoftimeve zyrtare, brenda automjetit nuk janë gjetur sende të kundërligjshme apo arma e krimit. Gjatë operacionit të zhvilluar në mbrëmjen e 8 qershorit, forcat speciale RENEA kanë ushtruar kontrolle në 15 objekte të ndryshme, si dhe në zonën malore të Krujës, por pa arritur ende në gjurmët e të dyshuarit. Kontrollet e RENEA-s pritet të vijojnë.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje 8 persona për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Sipas hetimeve, dyshohet se konflikti mes autorit dhe viktimës ka ndodhur për motive të mëparshme. Ngjarja ka ndodhur teksa Baloshi ishte duke ecur në rrugë pranë një kalçetoje, kur u qëllua për vdekje. Viktima u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ku bluzat e bardha konstatuan se ai kishte mbërritur pa shenja jete.
Përditësime
Burimet hetimore kanë zbardhur detaje të reja mbi vrasjen në Paskuqan, ku vijon kërkimi për autorin 39-vjeçar, Sadik Llani:
• Autori, i cili kishte pasur njohje të mëparshme me viktimën, e ka qëlluar atë për vdekje me plumb në kokë.
• Llani ka tentuar të qëllojë edhe ndaj personit që shoqëronte viktimën, por nuk ka arritur ta plagosë.
• Prokuroria po heton dyshimet për konflikte të lidhura me drogën, ndonëse mosmarrëveshja mes palëve dyshohet se kishte nisur prej 1 viti.