Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, ka publikuar të dhënat për rritjen e rasteve të shfrytëzimit seksual të të miturve në internet. Këto të dhëna vijnë nga bashkëpunimi me NCMEC (Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar).
Gjatë vitit 2025 janë referuar 5 707 raporte, ose rreth 475 në muaj, ndërsa vetëm në janar 2026 janë administruar 655 raporte.
Materialet identifikohen nga NCMEC përmes teknologjive të specializuara, ndërsa të dhënat për poseduesit apo shpërndarësit i referohen Policisë së Shtetit për ndjekje ligjore.
Apeli i Policisë
Policia e Shtetit apelon tek prindërit dhe kujdestarët që:
- të monitorojnë aktivitetin online të fëmijëve;
- të komunikojnë hapur me ta për rreziqet e internetit dhe mbrojtjen e të dhënave personale;
- të përdorin mjete kontrolli dhe masa sigurie në pajisjet elektronike.
Apeli drejtohet edhe tek qytetarët për të ruajtur privatësinë e të miturve duke mos shpërndarë apo ripostuar materiale të papërshtatshme. Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve, prindërve dhe komunitetit.
Të dhëna shtesë
Në vitin 2025 u regjistruan 387 vepra penale për "Pornografi me të Mitur", prej të cilave 290 u zbuluan, me rritje prej 240 rastesh krahasuar me vitin 2024. Po sipas Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, gjatë 2025 u evidentuan 615 raste abuzimi online, 46% më shumë se viti paraardhës.
Shifrat u publikuan në përmbyllje të Javës së Internetit të Sigurt më 13 shkurt 2026.