Një incident detar është regjistruar në zonën e Spillesë, ku një mjet lundrues tip skaf pësoi defekt në motor dhe filloi të mbushej me ujë. Për shkak të kësaj avarie, mjeti rrezikonte të fundosej ndërsa ndodhej rreth 1 milje larg bregut, në drejtim të Forsilukut. Në bord ndodheshin gjithsej 8 shtetas, përfshirë drejtuesin e mjetit dhe 7 anëtarë të një familjeje.
Pas marrjes së njoftimit për ndihmë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare reaguan menjëherë për të siguruar personat në bord. Efektivët mundësuan tërheqjen e skafit drejt bregut, duke e nxjerrë atë në zonën e Karpenit. Të tetë personat e shpëtuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar forcat e rendit për asistencën e ofruar.
Nga verifikimet e kryera nga shërbimet policore pas incidentit, ka rezultuar se mjeti lundrues dispononte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi ishte i pajisur me leje drejtimi për këtë lloj mjeti.