Sulmi amerikan dhe izraelit më 28 shkurt në Iran, ku u vra udhëheqësi suprem ajatollah Ali Khamenei, ka ngritur shqetësime për sigurinë në shumë vende, ndërsa Republika Islamike kryen sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane.
Shqetësime të ngjashme janë shfaqur në Shqipëri, ku prej vitesh strehohet grupi opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), i njohur edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.
Në ditën e nisjes së sulmeve, kryeministri Edi Rama shprehu mbështetje për operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Ai shkroi në rrjetin social X se Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me "fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike". "Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore. Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë", shtoi Rama.
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për situatën aktuale të sigurisë.
Shqipëria ka akuzuar Iranin për sulme kibernetike shkatërruese që nga viti 2022, të cilat goditën infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike. Këto sulme çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Teheranit.
Ekspertët e sigurisë dhe qytetarët janë të ndarë për rrezikun ndaj Shqipërisë. Disa paralajmërojnë për kërcënime të reja kibernetike ose hibride për shkak të pranisë së MEK-ut, ndërsa të tjerë vlerësojnë se kjo nuk rrit ndjeshëm ekspozimin e vendit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSKA) i kishte thënë Radios Evropa e Lirë më 2025 se sulmet kibernetike kishin vazhduar që nga 2022. "Sulmet, kryesisht të tipit ‘wipe’ dhe ‘ransomware’, kanë pasur karakter shkatërrues dhe kanë synuar paralizimin e infrastrukturave digjitale, duke shkaktuar ndërprerje shërbimesh dhe pasoja për qytetarët", thuhej në deklaratën e këtij institucioni.