Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog” të RTSH-së, të moderuar nga Alba Alishani, më 28 janar 2026, ngriti akuza ndaj elitës politike shqiptare për një strategji të përbashkët zvarritjeje të proceseve gjyqësore.
Sipas Zogajit, pavarësisht dallimeve partiake, palët politike bashkohen në taktikën e vonesës së drejtësisë përmes kohës. Ai e cilësoi këtë si një përpjekje të organizuar për të fituar kohë, duke lodhur dhe zhvlerësuar procesin hetimor. “Drejtësisë po tentohet t’i priten tubat, nuk po e lenë të rrjedhë”, u shpreh ai.
Zogaji përmendi zvarritjet në Gjykatën Kushtetuese, GJKKO dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit, me qëllim zhvlerësimin e hetimeve. Pavarësisht sulmeve publike mes palëve, kur përballet me drejtësinë, të gjithë zgjedhin shtyrjen e seancave. Qëllimi, sipas tij, është dekurajimi i drejtësisë dhe krijimi i perceptimit publik se reforma ka dështuar.
Ai solli argumentin e logjikës së pafajësisë: nëse zyrtarët dhe ish-zyrtarët janë të pafajshëm siç pretendojnë, pse nuk kërkojnë përfundimin e shpejtë të gjyqeve? “Nëse ka vetëdije nga personat në hetim se janë të pafajshëm, ata duhej të ishin të parët që të kërkonin finalizimin në gjykatë”, argumentoi Zogaji.
Sipas analistit, fakti që lajmet më të shpeshta janë “u shty seanca” dhe jo “u dha vendimi” tregon se strategjia e mbrojtjes mbështetet te procedurat bllokuese, jo te provat shfajësuese.
Përditësime
Preç Zogaj është Drejtori i MAPO-s.