Analisti Preç Zogaj komentoi në emisionin "Trialog" të RTSH-së mbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK-ut ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai e krahasoi situatën me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk kishte marrë vendim për ankimin e Kryeministrit lidhur me ndërhyrjen në kompetencat e ekzekutivit nga sistemi gjyqësor. "Këshilli i Mandateve imitoi Gjykatën Kushtetuese, ku ishte një ditë pa vendim. Ka një ngërç gjithandej, mesa duket", tha Zogaj.
Sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli i Mandateve të mos dalë me një rekomandim, pas të cilit seanca plenare vendos përfundimisht. Prokurorët kanë thënë se ekziston një tentativë për pengimin e hetimit të provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.
Zogaj theksoi se përtej deklaratave politike, procesi i hetimit duhet të zhvillohet në mënyrë të rregullt. "Ajo që unë pres është që procesi të jetë i rregullt, provat të paraqiten në vendin e duhur. Është gjykata që bën drejtësi, jo prokuroria", u shpreh ai. Ai vlerësoi se synimi i kastës publike është për të frenuar hetimin, ndërsa SPAK ka treguar seriozitet dhe nuk duket i ndikuar politikisht.