Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Poznań të Polonisë, me ftesë të homologut të tij, Karol Nawrocki, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 70-vjetorit të Kryengritjes së vitit 1956. Kjo ngjarje historike njihet si një nga lëvizjet më të rëndësishme të rezistencës ndaj regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Në kuadër të këtij aktiviteti, krerët e shteteve pjesëmarrëse miratuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës riafirmuan angazhimin për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtën e kombeve për vetëvendosje.
Në margjinat e ceremonisë, Presidenti Begaj zhvilloi një takim dypalësh me Presidentin Nawrocki. Gjatë bisedës, kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Polonia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi rolin udhëheqës të Polonisë në promovimin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri gjeopolitike për sigurinë e kontinentit.
Presidenti Begaj vlerësoi ndihmën konkrete që institucionet polake kanë ofruar përmes shkëmbimit të ekspertizës për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së. Sipas tij, përvoja e Polonisë në transformimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik shërben si një model frymëzues për Shqipërinë. Nga ana e tij, Presidenti Nawrocki rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin politik dypalësh.