Prindërit e Endri Goxhaj-it, 30-vjeçarit të vrarë javën e kaluar në Memaliaj, kanë rrëfyer sakrificat e tyre për djalin dhe kërkojnë drejtësi.
Astrit Goxhaj, i ati invalid, rrëfen se për të rritur të birin ka mbledhur lule në mal për të siguruar jetesën. Ai tregon se çdo përpjekje e jetës së tij kishte vetëm një qëllim: të ndërtonte një të ardhme më të mirë për Endrin, por pas vrasjes gjithçka i është shkatërruar. Mes lotësh, ai shprehet se humbja i ka rrënuar jetën dhe i ka marrë çdo shpresë, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend.
Nëna e Endrit, e tronditur nga humbja, apelon me zë të dridhur që autorët të zbulohen dhe të marrin dënimin e merituar. Ajo thekson se asgjë nuk e kthen më djalin, por drejtësia është e vetmja gjë që mund t’i japë sadopak qetësi shpirtit. Ajo shton se djalin e ndiqnin për ta vrarë dhe e ruanin përditë.
Endri Goxhaj kishte pak kohë që ishte fejuar, çka e bën humbjen edhe më të rëndë për familjen dhe të afërmit, pasi jeta e tij u ndërpre pikërisht kur po niste një kapitull të ri.