Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se komuna ka filluar procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje të re publike komunale me kapacitete të dedikuara ekskluzivisht për kryeqytetin. Ky vendim është marrë pas bllokimit të një projekti madhor të financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), në vlerë totale prej 74.1 milionë eurosh, i cili synonte modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
Sipas dokumenteve të prezantuara nga komuna, projekti parashikonte dy faza:
• Faza e parë, me vlerë 24.1 milionë euro, përfshinte blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve për ndarjen e mbeturinave.
• Faza e dytë, me vlerë 50 milionë euro, parashihte krijimin e qendrave për kompostim dhe riciklim.
Kryetari Rama, i shoqëruar nga nënkryetarja Besianë Musmurati dhe nënkryetari Florian Dushi, ka theksuar se marrëveshja për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh ka mbetur e bllokuar që nga shtatori i vitit 2024 për shkak të mungesës së nënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se, në bazë të Ligjit për Kryeqytetin, komuna ka autoritetin ligjor të themelojë këtë ndërmarrje pa pasur nevojë për pëlqimin e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, po hartohen plani i biznesit dhe analiza financiare, të cilat pritet t'i dorëzohen për miratim Kuvendit të Kryeqytetit. Për sa i përket fuqisë punëtore, Rama siguroi punonjësit aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se ata do të integrohen në sistemin e ri dhe se askush nuk do të mbetet i papunë.