Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur një sërë aktivitetesh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në Hagë. Ndër masat e ndërmarra, komuna do të instalojë një ekran të madh në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarët dhe përfaqësuesit e mediave do të mund të ndjekin seancën gjyqësore në kohë reale. Ky organizim po bëhet në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të UÇK-së.
Musmurati theksoi se aktiviteti kryesor mbetet marshi i datës 12 shtator, organizuar nga nisma “Liria ka emër”. Marshi do të nisë në orën 14:00, ndërsa komuna ka konfirmuar mbështetjen e saj të plotë, duke ftuar asamblistët e të gjitha partive politike për pjesëmarrje. Ajo shprehu shpresën për një vendim në favor të ish-liderëve të UÇK-së, duke paralajmëruar se në rast të kundërt, reagimet në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën pritet të jenë të pranishme.
Përveç aktiviteteve për marshin, komuna ka zhvilluar edhe nisma të tjera mbështetëse:
- “Ora e Pritjes”, e cila u zhvillua në Prishtinë dhe u shtri nëpër të gjitha komunat e vendit.
- Murali në lagjen Ulpiana, realizuar nga artistja Orange Girl, që shfaq portretet e katër ushtarëve të UÇK-së.
- Ekspozita e fotoreporterit të luftës, Visar Kryeziu, e cila mbetet e hapur për qytetarët në Pallatin e Rinisë.
Përditësime
Komuna e Prishtinës saktësoi datën e vendosjes së ekranit të madh në sheshin “Skënderbeu” për transmetimin e seancës gjyqësore në Hagë. Autoritetet konfirmuan se ekrani do të jetë funksional më 16 shtator, duke e ndarë këtë aktivitet nga marshi i organizuar më 12 shtator.