Sipas të dhënave të përditësuara mëngjesin e sotëm nga Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar, qarkullimi në pikat kufitare të Kosovës paraqitet me intensitet të ulët deri në mesatar. Pika kufitare e Dheut të Bardhë rezulton si më e ngarkuara në hyrje, ku janë regjistruar kolona deri në 200 metra gjatësi, ndërsa koha e pritjes për kalim arrin deri në 25 minuta.
Ndërkaq, pika kufitare në Merdarë vijon të ketë qarkullim më të rrjedhshëm, me kohë pritjeje në hyrje që nuk i kalojnë 10 deri në 15 minuta. Në pikat e tjera kufitare të vendit, situata është e qëndrueshme dhe nuk raportohen vonesa të theksuara. Për sa i përket daljeve nga territori i Kosovës, komunikacioni në të gjitha pikat kufitare zhvillohet me ritme normale, ku qytetarët presin mesatarisht nga 3 deri në 5 minuta për të përfunduar procedurat e kontrollit kufitar.