Gjatë një kontrolli të ushtruar në orët e para të mëngjesit të datës 10 shtator 2026, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër, autoritetet kanë konstatuar sende të ndaluara në dhomën e të dënuarit Samet Gjeta. Gjatë kontrollit u gjetën një aparat celular dhe dy qese të tejdukshme me lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, Samet Gjeta u arrestua në flagrancë për veprat penale të futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Në të njëjtin procedim, janë vendosur nën hetim në gjendje të lirë edhe tre shtetas të tjerë:
- Eduart Docaj, i dënuar, për veprën penale të moskallëzimit të krimit, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
- F. D., punonjës policie në IEVP Shkodër, për shpërdorim detyre.
- A. Ll., punonjës policie në IEVP Shkodër, për shpërdorim detyre.
Materialet procedurale janë dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.