Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Silver”, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive. Në kuadër të këtij aksioni, dy shtetas me banim në Tiranë, të identifikuar si Edvald Mesiti (45 vjeç) dhe Spartak Pëllumbi (65 vjeç), janë proceduar penalisht pasi u kapën duke tregtuar bizhuteri argjendi në shëtitoren “Shën Gjergji”.
Sipas autoriteteve, malli i gjetur nuk dispononte dokumentacion shoqërues dhe shitësit nuk lëshonin fatura tatimore për klientët. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 27 kilogramë bizhuteri argjendi. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Ndaj dy të proceduarve rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale:
• "Kontrabanda me mallra të tjera"
• "Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë"
• "Fshehja e të ardhurave"
• "Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës apo faturës tatimore"