Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet lidhur me procedimin penal nr. 2103 të vitit 2022 dhe ka dërguar për gjykim shtetasin nigerian L.O., i cili akuzohet për veprën penale të "Mashtrimit kompjuterik", parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal. Hetimi filloi pas kallëzimit të bërë nga një shtetase me iniciale M.E., e cila punonte si operatore në një kompani që ofronte shërbime të energjisë dhe gazit.
Sipas hetimeve, i pandehuri krijoi një lidhje komunikimi me viktimën përmes rrjeteve sociale Instagram dhe WhatsApp. Ai u prezantua si shtetas italian, ndonëse nuk zotëronte gjuhën italiane. Me pretendimin se duhej të ndihmonte për marrjen e një "pakoje surprizë", i akuzuari arriti të bindte viktimën të kryente një pagesë në llogarinë e tij. Pas transferimit të parave, ai kërkoi të dhëna të mëtejshme bankare dhe shuma të reja parash, por dërgesa e premtuar nuk mbërriti asnjëherë.
Identifikimi i autorit u mundësua pas shkëmbimit të letërporosive me autoritetet italiane. Rezultoi se llogaria bankare e tipit PostePay Evolution, ku ishin dërguar paratë, ishte në posedim të shtetasit nigerian L.O., lindur në Nigeri dhe me banim në Itali.
Në përfundim të procedimit, organi i akuzës ka këshilluar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm në komunikimet online. Prokuroria theksoi rëndësinë e mosndarjes së të dhënave personale, kredencialeve bankare apo informacioneve sensitive me persona të panjohur, duke vërejtur një rritje të rasteve të tilla të mashtrimeve kompjuterike.