Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në kuadër të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026. I dyshuari dyshohet se, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka vënë në lajthitje shtetas të Norvegjisë, duke i nxitur të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.
Hetuesit dyshojnë se, pasi siguroi të dhënat bankare të personave të dëmtuar, B.M. i përdori ato për të kryer porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht për pajisje elektronike. Sipas njoftimit, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.
Gjatë kontrollit të kryer me urdhër të prokurorit, autoritetet sekuestruan shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy pajisje USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme. Sipas njoftimit, këto materiale do të shërbejnë si prova në procedurën penale.
I dyshuari po hetohet për veprën penale të mashtrimit, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë.