Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes penale ndaj avokatit Ulian Bajrami për veprat penale kanosje për shkak të detyrës, kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit si dhe kanosja e gjyqtarit. Procedimi nr. 7882 u regjistrua për ngjarjen e 17 tetorit 2025 në Elbasan, ku avokati u arrestua më 19 tetorin 2025 në sallën e gjyqit pas një debati me prokurorin Gjergj Ceka.
Pas veprimeve hetimore, Prokuroria vlerësoi se nuk plotësohen kushtet ligjore për vijimin e ndjekjes penale. Në njoftimin zyrtar thuhet: “Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes për procedimin penal nr. 7882, të regjistruar për veprat penale ‘Kanosje për shkak të detyrës’, ‘kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit’ dhe ‘kanosjes së gjyqtarit’ ndaj shtetasit Ulian Bajrami për ngjarjen e regjistruar më 17.10.2025 në Elbasan”.
Ngjarja në sallën e gjyqit
Gjatë seancës në Gjykatën e Elbasanit, avokati Ulian Bajrami pretendoi se provat ndaj klientit të tij ishin të rreme dhe deklaroi se do të merrej personalisht me prokurorin Gjergj Ceka dhe oficerët e policisë gjyqësore, duke paralajmëruar ngritjen e një kallëzimi penal.
Prokurori Gjergj Ceka u përgjigj se avokati do të arrestohej. Gjyqtarja Megi Strakosha e paralajmëroi për gjuhën e përdorur, duke thënë se kërcënimet nuk lejoheshin në sallë dhe se mund ta përjashtonte nga seanca, duke caktuar një avokat zëvendësues.
Avokati u arrestua me iniciativë të oficerit të policisë gjyqësore pasditen e 19 tetorit 2025.
Përditësime
Ulian Bajrami u lirua nga qelia mbrëmjen e 20 tetorit.
Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes, pasi nuk u vërtetua kanosja ndaj prokurorit.
Arrestimi i tij më 18 tetor (korrigjim nga 19) solli bojkot 5-ditor të seancave gjyqësore nga Dhoma e Avokatisë.