Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka regjistruar procedim penal për veprën penale shpërdorim i detyrës, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Procedimi u nis pas publikimit të materialit investigativ në media online dhe emisionin Piranjat më 11 mars 2026. Ky material referon gjetjet e raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që evidenton problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal Korçë.
Në kuadër të procedimit, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore nga oficerët e policisë gjyqësore. Këto veprime synojnë verifikimin e rrethanave të paraqitura, administrimin e dokumentacionit përkatës dhe identifikimin e personave me përgjegjësi ligjore.
Hetimet zhvillohen në funksion të detyrimeve ligjore të institucioneve publike për garantimin e shëndetit të pacientëve dhe qytetarëve të Qarkut Korçë.
Prokuroria thekson angazhimin për një hetim të plotë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.