Protestat e shoferëve të kamionëve kundër çmimeve të larta të karburantit kanë ndërprerë prej ditësh një pjesë të madhe të transportit në Italinë e Jugut, duke shkaktuar mungesa produktesh në supermarkete dhe rritje të çmimeve. Bllokimet e rrugëve kanë penguar furnizimin me fruta, perime dhe produkte të tjera ushqimore në Kampani, Siçili, Kalabri dhe Pulia. Në disa zona raportohen mungesa të mishit, qumështit, miellit, ujit dhe makaronave. Vështirësi po hasin edhe fermat, ku prodhimet e grumbulluara nuk arrijnë të transportohen drejt pikave të shitjes.
Sipas vlerësimeve të Confcommercio, pesë ditë ndërprerje në Siçili kanë shkaktuar dëme prej 40–50 milionë eurosh për rrjetet e tregtimit dhe sektorin e produkteve të freskëta. Shqetësime ka edhe për furnizimin me ilaçe dhe pajisje elektroshtëpiake.
Çmimi me shumicë i disa domateve nga Siçilia është trefishuar krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të cituara nga mediat italiane. Domatet janë shtrenjtuar nga 2,50 euro në 6 euro për kilogram brenda 12 muajve. Radikioja e kuqe shitet me shumicë për 4,40 euro, nga 1,80 euro më parë, një rritje prej 144,4%. Specat, patëllxhanët dhe rrushi i tryezës po fillojnë të mbarojnë edhe në kryeqytet.
Për të përballuar mungesat, disa produkte po importohen nga vende të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Spanjën. Domatet shqiptare kushtojnë 2 euro për kilogram, ndërsa specat spanjollë 3,80 euro. Sasitë e importuara, megjithatë, vështirë se mund të zëvendësojnë mungesën e krijuar nga bllokadat.
Transportuesit kërkojnë rritje prej 15% të tarifave të transportit për të kompensuar kostot, veçanërisht ato të naftës. Qeveria italiane po shqyrton masa financiare për sektorin. Të martën pritet një takim mes ministrit të Transportit, Matteo Salvini, dhe përfaqësuesve të transportuesve. Protestat vijojnë në disa zona të vendit, ku kamionët janë vendosur në akse kryesore rrugore, ndërsa automjetet private lejohen të qarkullojnë.