Çmimet e perimeve dhe frutave janë rritur me rreth 20% këtë të hënë në tregjet me pakicë të Tiranës. Domatet, kastravecat dhe zarzavatet e tjera, kryesisht nga importi, kanë udhëhequr këtë trend. Domatet që vijnë nga Greqia kanë arritur deri në 400 lekë për kilogram.
Tregtarët në kryeqytet shpjegojnë se rritja vjen nga varësia e lartë nga importi. “Çmimet sot janë rritur rreth 20% më shumë se ditët e tjera. Domatja dhe sallatori janë rritur më shumë”, thanë ata. Sipas tyre, qytetarët po blejnë më pak për shkak të çmimeve të larta të vazhdueshme.
Eksperti i bujqësisë Granit Sokolaj vlerëson se rritja për produktet e importuara, kryesisht nga Greqia dhe Turqia, ka karakter abuziv dhe nuk lidhet me faktorë si rritja e çmimit të naftës apo tensionet në Lindjen e Mesme, përfshirë ngushticën e Hormuzit. Ai kërkon më shumë kontroll dhe transparencë në zinxhirin e furnizimit.
Sa i përket prodhimit vendas, që pritet të dalë së shpejti në treg, rritja konsiderohet më e justifikuar. Çmimet me shumicë variojnë nga 200 deri në 350 lekë për kilogram, për shkak të kostove të larta të prodhimit, përmbytjeve dy herë në serra dhe rritjes së inputeve bujqësore. Kjo situatë parashikohet të ndikojë edhe prodhimin e muajve maj dhe qershor.