Banorët e zonës qendrore të Durrësit zhvilluan sot një protestë përpara godinës së Bashkisë, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit Transformimi i Integruar i Durrësit (TID). Gjatë tubimit, pjesëmarrësit hodhën vezë në drejtim të godinës së institucionit, ndërsa disa prej tyre shënjestruan edhe automjetin e kryebashkiakes Emirjana Sako. Protestuesit kërkuan shfuqizimin e këtij projekti, duke ngritur shqetësime lidhur me prishjen e banesave, vlerën e kompensimit për shpronësimet dhe mungesën e transparencës nga ana e pushtetit vendor.
Sipas banorëve, të cilët kanë mbajtur pankarta me thirrje si “Mos e prek Durrësin” dhe “Bashki, po na hidhni në rrugë”, institucioni nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për informacion. Në emër të protestuesve, Rita Kazazi i bëri thirrje drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë, Almeida Rroshi, të marrë pjesë në procesin gjyqësor që po zhvillohet për këtë çështje.
Protesta u zhvillua paralelisht me mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku rendi i ditës përfshinte diskutimin mbi Reformën Territoriale, një çështje për të cilën këshilltarët e majtë votuan pro, ndërsa opozita braktisi sallën. Projekti TID, i cili synon rijetëzimin e zonës historike përreth Amfiteatrit dhe Bulevardit Epidam, mbetet objekt i një procesi gjyqësor në Gjykatën Administrative të Tiranës.