Grupimi Qytetar kundër Projektit TID në Durrës zhvilloi këtë të enjte protestën e radhës para Bashkisë Durrës.
Anëtarët e familjeve të prekura nga prishjet e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit kërkuan dialog me bashkinë, siç rekomandoi edhe AADF gjatë takimit me banorët më 19 janar. Ata refuzojnë propozimet që i konsiderojnë tentativa të bashkisë për sistemim në banesa sociale.
Protestës u bashkuan eksponentë të Partisë Demokratike, si deputeti Igli Cara dhe kreu i degës lokale Ardian Muka. Në një deklaratë për mediat, Cara dënoi heshtjen e bashkisë Durrës dhe e cilësoi korruptiv projektin e zhvilluar nga institucionet shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Përfaqësuesit e familjeve kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor në Këshillin Bashkiak Durrës për verifikimin e procedurave, shkeljeve ligjore dhe mungesës së transparencës, siç i konsiderojnë ata hapat e ndjekur nga bashkia dhe Ministria e Kulturës gjatë pesë viteve të fundit. Ata theksuan se "duhet të mbahen larg duart nga banesat dhe pronat e qytetarëve", duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut.
Përditësime
AADF ka sqaruar me letër zyrtare rolin e saj si donator, pa kompetencë për shqyrtim apo miratim të Projektit TID.