Në qendër të Prishtinës u zhvillua sot një protestë masive kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Protestuesit, të mbledhur nën moton "Jo në emrin tim", kërkuan që të mos lejohet deformimi i historisë së luftës çlirimtare.
Njëra nga folëset në këtë tubim ishte Lavdie Gradica, vajza e mjekut të luftës, Dr. Lec Gradica. Gjatë fjalës së saj, ajo solli në vëmendje kontributin e babait të saj, i cili themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës dhe shërbeu në malet e Qyqavicës deri në rënien e tij më 24 shtator 1998. Ajo theksoi se familja e saj, ashtu si mijëra familje të tjera, është rritur me dhimbjen e humbjes, por edhe me krenarinë e sakrificës për lirinë e vendit.
Duke komentuar aktgjykimin e shqiptuar në Hagë, Gradica deklaroi se familjet e dëshmorëve respektojnë drejtësinë, por kërkojnë që ajo të jetë e paanshme. "Ne nuk kërkojmë privilegj dhe as hakmarrje. Kërkesa jonë është drejtësia për çlirimtarët", u shpreh ajo, duke siguruar ish-krerët e UÇK-së se mbështetja e popullit për ta vazhdon të jetë e palëkundur.
Në protestë foli edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, i cili e cilësoi dënimin si një veprim që po ndikon negativisht në rishkrimin e historisë së luftës së fundit në Kosovë dhe njollos emrin e UÇK-së.