Ish-vila e Enver Hoxhës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë u sulmua sot nga protestuesit e opozitës me 54 molotovë, duke u përfshirë nga flakët për pak minuta. Zjarri u shua brenda pak minutash.
Gjatë sulmit raportohet se kishte njerëz brenda vilës, të cilët u larguan nga kati i parë drejt zonave më të sigurta. Pamjet e siguruar nga Panorama tregojnë një person brenda banesës në momentin e hedhjes së molotovëve, por gjendja e tij shëndetësore nuk dihet.
Policia e Shtetit reagoi me Forca Speciale, duke shpërndarë turmën me një autobus me ujë dhe gaz lotsjellës. Më herët, protestuesit tentuan të afroheshin te godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, por u penguan nga efektivët. Një protestues humbi ndjenjat nga gazi lotsjellës dhe u transportua me ambulancë në spital.
Pas incidentit, kreu i PD-së Sali Berisha u largua me makinë nga zona.
Deklarata e Gazment Bardhit
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi shpjegoi arsyet e sulmit. Ai tha se godina shërben si vilë ku Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret korruptive, si dhe është simbol i diktaturës. "Kur qytetarët shohin nuanca të atij regjimi të përsëriten 35 vite pas rënies së tij, revolta është normale", deklaroi Bardhi. Ai theksoi se nuk ka persona të lënduar nga sulmi me molotovë, përveç protestuesve të prekur nga ndërhyrja e policisë me gaz dhe ujëhedhës.