Vetëm 48 orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë të madhe bombardimesh ndaj Iranit, grupi militant libanez Hezbollah iu bashkua përleshjeve dhe e përkrahu mbështetësin e vet.
Aleati më i afërt joshtetëror i Teheranit, Hezbollah ka lëshuar qindra predha, raketa dhe dronë ndaj Izraelit fqinj që nga 2 marsi, duke hapur një front të ri në luftë. Hezbollah është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, dhe kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë vetëm krahun e tij të armatosur.
Izraeli ka nisur një pushtim tokësor të Libanit jugor dhe ka zhvilluar fushatë shkatërruese sulmesh ajrore në përgjigje të sulmeve të Hezbollahut, duke vrarë mbi 2.000 njerëz dhe duke zhvendosur më shumë se 1.2 milionë të tjerë, sipas autoriteteve vendëse shëndetësore libaneze.
Ndërsa Teherani dhe Uashingtoni angazhohen në bisedime për një marrëveshje të mundshme paqeje, Irani e ka bërë ndalimin e sulmeve izraelite ndaj aleatëve të tij në rajon, më saktë ndaj Hezbollahut, një nga kërkesat kryesore.
Rëndësia strategjike e Hezbollahut
Irani e sheh Hezbollahun si asetin më të vlefshëm rajonal, vijën e parë kundër Izraelit. «Lënia jashtë e Libanit do të nënkuptonte pranimin e dobësimit të vazhdueshëm nga Izraeli të forcës së tij kryesore parandaluese», tha Sanam Vakil, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në institutin kërkimor Chatham House me bazë në Londër.
«Ndryshe nga grupet irakiane apo jemenase, Hezbollah ndodhet në kufirin me Izraelin dhe ka një arsenal të madh raketash, duke e bërë atë veçanërisht kyç për ndikimin e Iranit si në luftë ashtu edhe në bisedime», shtoi ajo.
Hezbollah është shtylla kryesore e «boshtit të rezistencës», rrjetit të Iranit me aleatë të armatosur dhe grupe militante, duke përfshirë rebelët huthi të Jemenit dhe milicitë irakiane.