Rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të armatosur rajonalë të Iranit, i njohur si bosht i rezistencës, pritet të aktivizohet dhe të mbështesë Teheranin nëse presidenti amerikan Donald Trump autorizon një veprim ushtarak kundër Republikës Islamike, thonë ekspertët.
Ky rrjet qëndroi kryesisht në heshtje gjatë fushatës intensive të bombardimeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara në Iran vitin e kaluar. Irani e percepton një konflikt të ri me SHBA-në si kërcënim ekzistencial, ndryshe nga lufta e qershorit 2025.
Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se Teherani është gati të përdorë të gjitha kapacitetet ushtarake të veta dhe ato asimetrike të boshtit të rezistencës për të siguruar mbijetesën.
Ka sinjale se aleatët e Iranit në Irak, Liban dhe Jemen po përgatiten për luftë në rast sulmi amerikan ndaj Teheranit.
Aleatë të dobësuar
Irani ka shpenzuar dekada për të ndërtuar këtë rrjet, që përfshin grupe militante si Hezbollahun e Libanit, rebelët Huthi të Jemenit dhe milicitë proiraniane në Irak. Ky rrjet ka qenë element kyç i strategjisë frenuese të Teheranit kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Megjithatë, aleanca ka pësuar goditje të rënda:
- Qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad, aktori i vetëm shtetëror përveç Iranit, u rrëzua në dhjetor 2024.
- Hezbollahu u dobësua pas luftës njëvjeçare me Izraelin, gjatë së cilës u vra udhëheqësi Hassan Nasrallah.
Pavarësisht këtyre dobësimeve, rrjeti mund t’i ofrojë Iranit fuqi shtesë zjarri në rast konflikti.
Përditësime
Milicïtë proiraniane në Irak nisin rekrutime të reja.
Huthit kërcënojnë t'i japin fund armëpushimit me SHBA