Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 20 shtator në Baldissero d’Alba, Itali, ku 35-vjeçari Roberto Mollo qëlloi me armë zjarri ndaj personave që tentuan të grabisnin banesën e tij në rikonstruksion. Nga të shtënat humbi jetën 36-vjeçari Gjovalin Lasri.
Televizioni italian Tg1 ka publikuar regjistrimin e telefonatës së Mollo në numrin e emergjencës 112, ku ai deklaron se ka qëlluar për t’u mbrojtur. “Kam pasur hajdutë në shtëpi, u mbrojta… njëri ka vdekur,” shprehet Mollo gjatë bisedës me operatorin. Ai shton se ka qëlluar pasi është ndjerë i frikësuar nga prania e personave në oborrin e shtëpisë. Sipas hetimeve, Mollo, i cili punon si shofer kamioni, qëlloi 13 herë nga një ballkon në distancë prej rreth 30 metrash.
Sipas autoriteteve italiane, trupi i Lasrit u gjet pranë daljes së oborrit me veshje maskimi, doreza dhe një elektrik dore. Gjatë kontrollit, në xhepat e tij u gjetën një kaçavidë dhe rreth 2 mijë euro. Hetuesit dyshojnë se viktima ishte pjesë e një grupi “grabitësish në lëvizje”, të cilët kryejnë vjedhje të njëpasnjëshme në zona të ndryshme gjatë së njëjtës natë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e mundshëm, për të cilët dyshohet se nuk ishin nga provinca e Cuneos.
Përditësime
Hetimet zbuluan detaje të reja nga dëshmia e Roberto Mollo, i cili deklaroi për hetuesit se ishte ndjerë i rrezikuar për shkak të pranisë së grabitësve në pronën e tij. Sipas njoftimit zyrtar, Mollo komunikoi me operatorët e emergjencës përpara ngjarjes, duke konfirmuar se ishte i armatosur dhe kishte mbyllur derën për mbrojtje. Viktima, Gjovalin Lasri, u konstatua se mbante një kapuç gjatë kohës së ndërhyrjes. Aktualisht, hetuesit po ekzaminojnë nëse shuma prej 2 mijë eurosh e sekuestruar te viktima lidhet me episode të tjera kriminale të raportuara më parë në rajon.
Prokuroria italiane e ka vënë zyrtarisht nën hetim për vrasje me dashje shtetasin Roberto Mollo, pas ngjarjes së rëndë në Baldissero d’Alba. Avokati i familjes së viktimës, Gjovalin Lazri, ka kërkuar publikisht zbardhjen e plotë të rrethanave për drejtësi. Rezultatet paraprake mjeko-ligjore hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjes, duke sugjeruar se viktima mund të jetë qëlluar nga një plumb i vetëm, duke rishikuar raportimet fillestare për 13 të shtëna. Lazri, i cili punonte si barist dhe banonte në periferi të Torinos, po identifikohet tashmë nga hetuesit edhe përmes profilit të tij familjar.