Një punëtor ka humbur jetën të shtunën, më 28 shkurt 2026, rreth orës 22:00, në Prizren. Sipas Policisë së Kosovës, viktima, mashkull, derisa punonte në një shtyllë elektrike, dyshohet se u godit nga rryma elektrike dhe si pasojë ra në tokë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët konstatuan vdekjen e punëtorit. Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rasti po hetohet sipas nenit për "Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës".
Përditësime
Policia sqaron se viktima nuk ishte punëtor i KEDS-it. Viktima u identifikua si R.B., rreth 50 vjeç, në fshatin Manastiricë të Prizrenit. Zëdhënësi policor Shaqir Bytyçi konfirmoi detajet. Hetimin e drejtojnë Stacioni policor i Prizrenit, ekipi forensik dhe hetuesit rajonalë.