Një aksident i rëndë në punë ndodhi më 3 mars 2026, rreth orës 13:30, në lagjen Zinxhira të Gjirokastrës.
I lënduari, Tani Kopeci, 55 vjeç, punonjës i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkia Gjirokastër, rrëzua nga kati i dytë i një objekti gjatë pastrimit të tij.
Për shkak të dëmtimeve të rënda dhe gjendjes kritike për jetën, ai u transportua me helikopter drejt Tiranës për trajtim mjekësor të specializuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë tre përgjegjës të Sektorit të Mirëmbajtjes:
• Pano Çako
• Arben Baxha
• Adrian Loloçi
Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Adriatik Onjea, u shpall në kërkim si i dyshuar për “Shpërdorim detyre”, pasi nuk paraqitej për të dhënë shpjegime dhe për të vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm.
Materialet procedurale i referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.