Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 shtator 2026, rreth orës 10:00, në rrugën e Dobravës, në afërsi të fshatit Bujan. Katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ishin duke kryer punime për vendosjen e një shtylle ndriçimi në bazament. Sipas hetimeve paraprake, për shkak të peshës së shtyllës, punonjësit kanë humbur ekuilibrin, duke sjellë kontaktin e shtyllës me telat e rrymës elektrike. Si pasojë, energjia elektrike u përcoll te katër personat që po e mbanin atë.
Nga ky incident, 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj ndërroi jetë në vend, ndërsa tre punonjësit e tjerë, Albert Dunisha (40 vjeç), Ilir Dautaj (47 vjeç) dhe Afrim Aliaj (21 vjeç), pësuan dëmtime. Ata u dërguan për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan dy zyrtarë të institucionit vendor:
• Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
• Gëzim Hasanpapaj, 60 vjeç, Drejtues Teknik i punimeve.
Të dy të ndaluarit janë banues në Bajram Curri dhe ndaj tyre rëndon akuza për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Grupi i posaçëm hetimor vijon dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive lidhur me ngjarjen, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Përditësime
Prokuroria ka zgjeruar akuzat ndaj dy zyrtarëve të Bashkisë Tropojë, Ndriçim Gjocaj dhe Gëzim Hasanpapaj, të cilët tashmë akuzohen edhe për 'Shpërdorim detyre'. Hetimet po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 390 të vitit 2026. Ngjarja ku humbi jetën punonjësi Muhamet Sylisufaj ndodhi në fshatin Bujan, Tropojë, më datën 08.09.2026.
Hetimet zbardhën rrethanat e ngjarjes në rrugën e Dobravës në fshatin Bujan. Ekspertiza teknike konfirmoi se punonjësit humbën ekuilibrin për shkak të peshës së shtyllës, e cila gjatë rënies preku telat e tensionit elektrik. Autoritetet gjyqësore vendosën që dy zyrtarët e Bashkisë Tropojë, Ndriçim Gjocaj dhe Gëzim Hasanpapaj, të hetohen në gjendje të lirë pas ndalimit fillestar.